Import- Eksport
Nën një koordinim të kujdesshëm, që pajtohet në detaje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Shqipërisë, Florfarma Sh.p.k mundëson importimin e disa produkteve ndërkombëtare farmaceutike. Në bashkëpunim me kompani zvicerane, italiane, greke, portugeze dhe spanjolle bëhet ndjekja nga ana jonë e të gjitha procedurave të nevojshme ligjore, nga ato doganore te inspektimi dhe miratimi i produkteve, për t’u siguruar se janë në përputhje me standardet e duhura.
Në fokus kemi mbështetjen e bashkëpunëtorëve tanë, mbështetje e cila ngrihet mbi bazën e një kontrate besueshmërie, për të vijuar më tej me pjesën rregullatore të regjistrimit të produkteve, që realizohet nga ne dhe për të cilën Florfarma gëzon një eksperiencë të suksesshme dhe konform kritereve të kërkuara.
Aktiviteti ynë farmaceutik shtrihet gjithashtu edhe në eksportimin e një pjese të këtyre produkteve drejt Kosovës, ku mbulojmë edhe këtu, të gjitha hallkat e domosdoshme ligjore dhe farmaceutike, nga ana rregullatore, te futja e produktit dhe transportimi në kushtet e duhura.
Marketing dhe Shitje
Përmes një strategjie të mirëpërcaktuar, Florfarma dëshmon se njohja e nevojave të tregut dhe ofrimi i produkteve cilësore është garancia e suksesit në rrjetin farmaceutik. Falë një stafi të kualifikuar, i cili u nënshtrohet trajnimeve të vazhdueshme nga ne, si dhe nga bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë, mundemi të ndërtojmë marrëdhënie me profesionistë të shëndetësisë, si dhe të krijojmë besim e mbështetje për qytetarët.
Me një shpërndarje të gjerë si në sektorin publik, edhe në atë privat, gama e produkteve tona gjen mbulim nga spitalet shtetërore dhe klinikat, deri në rrjetin e farmacive.
Duke përcaktuar objektiva të reja, të përmuajshme, agjentët tanë të shitjeve, që mbulojnë të gjitha qarqet e Shqipërisë bëjnë të mundur zgjerimin e aktivitetit tonë. Krijimi i një infrastrukture të favorshme farmaceutike, nxit bashkëpunimet dhe një tendencë përherë e më pozitive të tregut ndaj produkteve tona.
Garantimi i
Cilësisë
Një komponent kyç sa i takon sigurisë dhe efikasitetit të barnave apo produkteve të tjera farmaceutike mbetet krijimi i një strukture funksionale që garanton cilësi absolute. Për këtë, Florfarma ka ngritur një sistem ekzakt dhe të padevijueshëm, i cili nis fillimisht me hallkën e regjistrimit të produkteve.
Çdo produkt ndiqet me përpikmëri maksimale sipas rregullores së legjislacionit shqiptar, deri në miratimin e tij nga ana e autoriteteve përkatëse. Më pas, i gjithë rrugëtimi që produkti në fjalë përshkon, bëhet në përputhje me kushtet optimale frigoriferike dhe higjienike që garantojnë ruajtjen e duhur. Ky zinxhir i kujdesshëm procesesh, që kërkon vigjilencë dhe përkushtim vlen për të gjitha produktet patentë të Florfarma-s, produktet e importuara falë bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe ato, të cilat gjejnë treg shitjeje edhe në Kosovë.
Garantimi i cilësisë arrihet gjithashtu përmes monitorimit të produkteve edhe pas vendosjes së tyre në treg, ku gjurmimi, identifikimi dhe raportimi i eksperiencave personale të përdorimit të këtyre produkteve kontribuon në përmirësimin e sigurisë së produkteve farmaceutike.